Kërkesën për urdhër mbrojtje mund ta parashtrojë viktima, përfaqësuesi i tij/saj, mbrojtësi i viktimave (me pëlqimin e viktimës) dhe përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale.
Kjo kërkesë parashtrohet kur viktima i është ekspozuar dhunës në familje dhe kërkon nga gjykata që ndaj kryerësit të dhunës në familje të shqiptohen masa mbrojtëse në raport me viktimën.
Kjo kërkesë duhet të përmbajë emërtimin e gjykatës që i drejtohet, të dhënat personale të viktimës (për shkaqe sigurie, viktima mund ta shkruajë një adresë tjetër alternative) dhe kryerësit të dhunës në familje, përshkrimin e fakteve se si ka ndodhur dhuna në familje duke ja bashkangjitur edhe provat që viktima posedon (dëshmitarë, foto, video, sms etj.), arsyen pse kërkohet urdhri mbrojtës si dhe masat mbrojtëse që propozon.
Për kërkesën për urdhër mbrojtje, gjykata vendos brenda 15 ditëve nga dita e pranimit të kërkesës. Urdhri mbrojtës i Gjykatës mund të shqiptohet për një periudhë kohore deri në 12 muaj, me mundësi vazhdimi edhe për 24 muaj të tjerë.
Përmes kërkesës, viktima mund të kërkojë nga gjykata që kryerësit të dhunës në familje ti shqiptohet masë e trajtimit psikosocial apo mjekësor, ti ndalohet afrimi me viktimën, shqetësimi i viktimës, largimi nga banesa/shtëpia, ti merren sendet me të cilat është kryer vepra penale si dhe ti shqiptohen masa pasurore, siç është urdhërimi për lejimin e viktimës që ta shfrytëzojë shtëpinë/banesën e përbashkët apo ndonjë pjesë të saj, obligimi për ta paguar qiranë për viktimën apo alimentacionin, ndalimi i shitjes së pasurive etj.
Përmes kërkesës për urdhër mbrojtje, Gjykata mund të urdhërojë shoqërimin e viktimës me qëllim të mbrojtjes së të njëjtës gjatë marrjes së sendeve personale.
Shkarko: “Masat që mund të kërkohen përmes kërkesës për urdhër mbrojtje”