Rreth nesh

Platforma Online për Ndihmë Juridike Falas funksionon në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ IKD). Platforma Online është krijiuar në kuadër të projektit për lehtësimin e qasjes në drejtësi përmes metodave efikase për përfitim nga ndihma juridike falas të dizajnuara veçanarisht për gratë viktima të dhunës në familje apo të dhunës në baza gjinore. Në këtë drejtim, kjo platformë digjitale mundëson qasje të lehtë për qytetarët për të kërkuar ndihmë juridike falas për të gjitha fushat ku QNJ IKD ofron ndihmë juridike. Kjo platformë është realizuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e IKD dhe jo domosdoshmërisht pasqyron këndvështrimet e Bashkimit Evropian.

Platforma online përmban disa komponenta funksionale, përmes të cilave qytetarët në nevojë kanë mundësi të lehtë të qasen direkt, duke kontaktuar me shkrim ose thirrje përmes platformave online (Programi online i QNJ IKD; Whatsap; Viber, Facebook) apo duke telefonuar në numrin tonë pa pagesë.

Për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në realizimin e të drejtave të tyre, platforma online ka funksionalizuar rubrikën “Udhëzime juridike”, në të cilën mund të shkarkojnë formularët e gatshëm, të cilët duhet të plotësohen dhe dorëzohen në institucionet përgjegjëse për t’i realizuar të drejtat. Kjo rubrikë vazhdimisht do të përditësohet me formularë të ndryshëm, të cilët do të përgatiten nga juristët e QNJ IKD.

Platforma online përmban edhe rubrikën e këshillave juridike se si të veprohet në situata të caktuara në aspektin juridik kur qytetarët përballen me probleme të ndryshme. Kjo rubrikë është emërtuar “Pyetje dhe Përgjigje”, ku situatat e caktuara problematike, do të elaborohen dhe do të shtrohen në formë të pyetjes për të ofruar për secilën situatë edhe përgjigjen adekuate. Kjo rubrikë vazhdimisht do të përditësohet me “Pyetje dhe Përgjigje” të reja, të cilat do të shtrohen nga qytetarët apo dot ë përgatiten nga juristët e QNJ IKD.

Rubrika “Forum” do të jetë hapësirë online, ku qytetarët kanë mundësi të postojnë pyetje, përgjigje dhe të zhvillojnë debat konstruktiv mbi tema të caktuara problemore, për të cilat do të marrin përgjigje juristët e IKD-së. Edhe kjo rubrikë vazhdimisht do të përditësohet me ngritjen e temave dhe diskutimeve online mbi temat problemore që ndërlidhen me të drejtat e qytetarëve.

Platforma përmban një rubrikë “Multi-media rreth të drejtave”, në të cilën do shfaqen materiale të ndryshme, përmes të cilave do të  promovohen të drejtat e qytetarëve, në veçanti të drejtat e grupeve të ndjeshme.

Platforma online është krijuar për t’ua lehtësuar qasjen qytetarëve për të kërkuar dhe realizuar ndihmën juridike falas, prandaj në këtë drejtim QNJ IKD mbetet e hapur që shërbimet e kësaj platforme t’i avancojë sa më shumë. Për këtë qëllim, platforma online ka krijuar rubrikën “Vlerësimi Juaj”, ku secili prej përdoruesve mund të jap vlerësimet dhe sugjerimet për funksionimin dhe avancimin e platformës online.

QNJ IKD është krijuar në mars 2019 me mbështetje nga fondet e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në kuadër të Programit Qasja në Drejtësi.

NUMRI KONTAKTUES

0800 22 222

EMAIL

info@ndihmajuridikeikd.org

LOKACIONI

Instituti i Kosovës për Drejtësi
(Qendra për Ndihmën Juridike)
Rr. Rrustem Statovci, Hyrja I, nr. 1 dhe Z3-S4. nr.1, Prishtinë.