Nëse gjykata e ka shqiptuar urdhrin mbrojtës për një periudhë të caktuar dhe pas kalimit të kësaj periudhe kohore rrethanat nuk kanë ndryshuar, atëherë pala e mbrojtur mund të kërkojë vazhdimin e urdhrit mbrojtës. Në këtë kërkesë, pala e mbrojtur duhet të argumentojë se rrethanat mbi bazën e të cilave është shqiptuar urdhri mbrojtës (shih përshkrimin për urdhrin mbrojtës), nuk kanë ndryshuar ende dhe për këtë arsye kërkohet vazhdimi i afatit të urdhrit mbrojtës.
Përkatësisht, gjykatës duhet ti argumentohet fakti se pala e mbrojtur ende i ekspozohet rrezikut nga pala përgjegjëse. Kërkesa për vazhdimin e urdhrit mbrojtës i paraqitet gjykatës e cila paraprakisht ka shqiptuar urdhrin mbrojtës, për të cilin kërkohet vazhdimi.
Kërkesa për vazhdimin e urdhrit mbrojtës duhet ti paraqitet gjykatës 15 ditë para se të përfundojë afati i urdhrit mbrojtës, për të cilin kërkohet vazhdimi. Nëse kjo kërkesë nuk parashtrohet, urdhri mbrojtës ndërpritet automatikisht në ditën kur i kalon afati i caktuar nga gjykata.