Kërkesa për caktimin e urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente parashtrohet në ato raste kur rreziku i palës së mbrojtur nga pala përgjegjëse është i lartë, gjykatat janë jashtë orarit të punës dhe pritja e ditës së nesërme për parashtrimin e kërkesës për caktimin e urdhrit për mbrojtje emergjente rrezikon shëndetin apo jetën e palës së mbrojtur. Në këto raste, pala e mbrojtur i parashtron Policisë së Kosovës kërkesë për caktimin e urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente.
Kërkesa i parashtrohet stacionit më të afërm policor. Kërkesë për caktimin e urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente mund të parashtrojë pala e mbrojtur, përfaqësuesi i autorizuar apo mbrojtësi i viktimave, familjari i viktimës, përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale, OJQ-të të cilat kanë informata të sigurta për dhunën në familje dhe që janë të familjarizuar me viktimën apo secili person tjetër që ka informata për dhunën në familje.
Kërkesa për caktimin e urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente duhet të përmbajë emërtimin e stacionit policor që i drejtohet kërkesa, të dhënat identifikuese të viktimës (për shkaqe sigurie, viktima mund ta shkruajë një adresë tjetër alternative) dhe palës përgjegjëse, përshkrimin e fakteve se si ka ndodhur dhuna në familje duke i bashkangjitur edhe provat që viktima posedon (dëshmitarë, foto, video, sms etj.), arsyen pse kërkohet urdhri mbrojtës, arsyen se rreziku i viktimës nga pala përgjegjëse është i lartë dhe i atypëratyshëm, që nuk pret deri në ditën e nesërme si dhe masat mbrojtëse që pala e mbrojtur propozon.
Përmes kërkesës për caktimin e urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente, pala e mbrojtur mund të kërkojë ndalimin e afrimit të palës përgjegjëse, ndalimin e shqetësimit, largimin nga banesa/shtëpia si dhe ti merren sendet me të cilat është kryer dhuna në familje. Urdhri i shqiptuar nga Policia e Kosovës për mbrojtje të përkohshme emergjente skadon në fund të ditës së ardhshme gjatë të cilës gjykata punon. (p.sh. nëse urdhri për mbrojtje të përkohshme emergjente është caktuar të mërkurën në mbrëmje, i njëjti urdhër skadon të enjten në fund të orarit të punës së gjykatës. Por, nëse ky urdhër është caktuar të premten në mbrëmje, urdhri për mbrojtje të përkohshme emergjente skadon të hënën në fund të orarit të punës së gjykatës).
Për këtë arsye, para se ky urdhër të skadojë, pala e mbrojtur duhet të parashtrojë në gjykatë kërkesën për caktimin e urdhrit për mbrojtje emergjente (shih përshkrimin e kërkesës për urdhër mbrojtje emergjente).
Kërkesë për caktimin e urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente