Krahas mundësive të palës së mbrojtur për të kërkuar masa mbrojtëse nga pala përgjegjëse, dhuna në familje është edhe vepër penale e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vite.
Procedura e denoncimit (procedura para penale) e dhunës në familje si vepër penale është e ndarë nga procedura përmes së cilës kërkohet shqiptimi i ndonjë prej urdhrave mbrojtës. Me rastin e denoncimit të dhunës në familje si vepër penale, viktima duhet të jap informacionet mbi identitetin e saj dhe të palës përgjegjëse, të tregojë raportet e saj me palën përgjegjëse si dhe përshkruajë kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale.
Për aq sa është e mundur, koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprës penale duhet të dëshmohet me prova, si dëshmitarë, foto, video, sms etj.
Parashtrimi i denoncimit të dhunës në familje si vepër penale nuk ka ndonjë afat specifik, përjashtimisht afatit të vjetërsimit të lëndës, i cili afat është gjashtë (6) vite nga momenti i kryerjes së veprës penale. Denoncimi i parashtrohet Stacionit Policor të komunës kur ka ndodhur dhuna në familje.