Krahas mundësive të palës së mbrojtur për të kërkuar masa mbrojtëse nga pala përgjegjëse, dhuna në familje është edhe vepër penale e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vite.
Procedura e parashtrimit të kallëzimit penal (procedura penale) për dhunë në familje si vepër penale është e ndarë nga procedura përmes së cilës kërkohet shqiptimi i ndonjë prej urdhrave mbrojtës.
Me rastin e parashtrimit të kallëzimit penal për dhunë në familje si vepër penale, viktima duhet të jap informacionet mbi identitetin e saj dhe të palës përgjegjëse, të tregojë raportet e saj me palën përgjegjëse si dhe përshkruajë kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale.
Për aq sa është e mundur, koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprës penale duhet të dëshmohet me prova, si dëshmitarë, foto, video, sms etj.
Parashtrimi i kallëzimit penale për dhunë në familje si vepër penale nuk ka ndonjë afat specifik, përjashtimisht afatit të vjetërsimit të lëndës, i cili afat është gjashtë (6) vite nga momenti i kryerjes së veprës penale. Kallëzimi penal i parashtrohet Prokurorisë Themelore në komunën rajonale ku ka ndodhur dhuna në familje.