Pos që mund të lajmëroni policinë për veprën penale të dhunës në familje, ju mund të shkoni direkt në gjykatë për të kërkuar urdhër mbrojtës. Përmes urdhërave mbrojtës, mund të detyrohet kryesi i dhunës në familje që të qëndrojë larg jush dhe anëtarëve tjerë të familjes, vendit tuaj të punës, shkollës së fëmijëve, shtëpisë tuaj, etj. Kuptohet, kjo nuk e ndalon kryesin nga mundësia fizike që t’ju vëzhgojë juve apo edhe t’ju lëndojë, mirëpo ju mundëson juve që ta lajmëroni policinë për ta arrestuar kryesin nëse i shkelë këta urdhra dhe ju afrohet. Njëherit, kryesi edhe mund të urdhërohet t’i nënshtrohet trajtimit psikosocial, trajtimit nga varësia prej alkoolit apo drogave, pagesën e qirasë për juve, etj. Urdhërat mbrojtës mund të kërkohen në gjykatën tuaj më të afërt. Këto kërkesa mund të përpilohen nga mbrojtësit e viktimave në emrin tuaj, pa pagesë. Se si duket forma e një kërkesë të tillë shih këtu.
Nëse keni përjetuar dëm, ju mund ta padisni në një proces civil ushtruesin e dhunës në familje. Këtë mund ta bëni pa marr parasysh a është dënuar personi në proces penal apo jo.
Dhuna në familje është vepër penale të cilën shteti duhet ta ndjekë zyrtarisht. Prandaj, nuk ka rëndësi që ju nuk dëshironi të vazhdoni tutje me akuzat, shteti do ti shkojë rastit deri në fund. Sidoqoftë, nëse keni kërkuar urdhër mbrojtës dhe nuk paraqiteni në seancën në gjykatë, megjithëse jeni ftuar me rregull nga gjykata, kërkesa juaj për urdhër mbrojtës do të konsiderohet e tërhequr. Por procedura penale vazhdon.
Nëse partneri juaj nuk është arrestuar por qëndron në liri, atëherë ju mundeni përkohësisht të strehoheni në strehimoret për viktimat e dhunës në familje, së bashku me fëmijët tuaj. Policia do t’ju ofrojë informata se si të keni qasje në strehimore. Njëherit, me kërkesën për urdhër mbrojtës, ju mund të kërkoni nga gjykata që ta largojë partnerin nga banesa juaj, nën shoqërimin e policisë, apo që ju të banoni me qira dhe kryesi t’ua paguajë të njëjtën.
Po. Edhe nëse nuk keni prova se jeni dhunuar fizikisht, ju mund të merrni urdhër mbrojtës, pasi dhuna mund të dëshmohet edhe në forma tjera. Për më tepër, dhuna në familje nuk kufizohet vetëm në dhunë fizike, por mund të jetë edhe psikologjike, seksuale, ose ekonomike.
Shkelja e urdhërave mbrojtës përbën vepër penale të veçantë, e dënueshme me gjobë dhe me burgim. Lajmëroni policinë menjëherë nëse dhunuesi e shkelë urdhrin mbrojtës.